Projekti i një Superlige të përbërë prej skuadrave evropiane të futbollit “ka vdekur”, insistoi të premten presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, në një takim me gazetarët në Argjentinë. Kreu i Konfederatës së Futbollit të Evropës kategorikisht hodhi poshtë komentet e bëra një ditë më parë nga Bernd Reichart, drejtori i ri i përgjithshëm i kompanisë që qëndron pas projektit të Superligës Evropiane, “A22 Sports Management”. Reichart tha se nisma e shkëputjes është ende shumë aktive, megjithëse në një format tjetër.
“Ne jemi këtu për të folur për futbollin dhe kjo Superliga Evropiane nuk është futboll”, tha Çeferin.
Kompania “A22 Sports Management” punoi me 12 klube elitare në Spanjë, Angli dhe Itali në një përpjekje për të filluar Superligën Evropiane në prill të vitit të kaluar, si një ligë rivale për Ligën e Kampionëve, garën më prestigjioze të UEFA-s në nivel klubesh. Megjithatë, projekti origjinal i Superligës Evropiane u rrëzua brenda 48 orëve. Tani kompania thotë se klubet si Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi po diskutojnë një turne që bazohet në merita.
Ditë më parë projekti që pothuajse ishte lënë në harresë, u ringjall papritmas. Projekti i Superligës që synon të revolucionarizojë futbollin evropian, tashmë ka një drejtues të ri të lartë për të drejtuar një plan për të ringjallur nismën e dështuar vitin e kaluar. Ish-shefi gjerman i televizionit, Bernd Reichart, ka marrë përsipër detyrën për ta rikthyer në skenë idenë e Superligës Evropiane.
“Ky projekt i Superligës në Evropë tashmë ka vdekur dhe nuk kemi nevojë të merremi me këtë çështje”, shtoi Çeferin.
Një plan i rinovuar i Superligës Evropiane ka të ngjarë të përfshijë më shumë klube nga më shumë vende në një garë. Pritet të startojë pavarësisht vendimit përfundimtar të gjykatës, vitin e ardhshëm. Real Madridi, Barcelona dhe Juventusi presin një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në sfidën e tyre ndaj monopolit që ata thonë se organizatori i Ligës së Kampionëve – UEFA – ka mbi garat ndërkombëtare. Gjykata vendosi një 15 dhjetorin si objektiv për të dhënë një opinion jodetyrues mbi çështjen e Superligës Evropiane, që u dëgjua nga 15 gjyqtarë gjatë dy ditëve në muajin korrik.
“Mund të them se projekti është shumë aktiv dhe mund të finalizohet në vitin 2025 kur planifikojmë të startojmë me garat”, ka paralajmëruar Reichart.
Gjithashtu të premten, organi qeverisës i futbollit të Amerikës së Jugut – CONMEBOL – njoftoi se do të zbatojë rregulla të ferplejit financiar në të gjitha turnetë e tij duke filluar nga viti i ardhshëm. Presidenti Alejandro Dominguez, tha gjatë takimeve në Buenos Aires se lëvizja ishte pjesë e një strategjie për ta bërë futbollin më konkurrues në rajon, ku të shtunën e ardhshme do të luhet finalja e tretë radhazi e Copa Libertadores mes klubeve braziliane.
“Ka katër vjet që Brazili ka filluar të ndryshojë turnetë e tij. Nuk ka të bëjë vetëm me të pasurit më shumë para, por ata po punojnë mirë. Ne kemi nevojë që pjesa tjetër e vendeve ta ndjekin këtë ndryshim”, tha ai.