Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ngritur shqetësimin për, siç e cilësoi ai, një nga krizat më të mëdha energjetike në dekadat e fundit, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në vend.
Sipas Rukiqit, rritja e çmimeve dhe ndikimi i saj në ekonomi nuk po trajtohen me seriozitet nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht sinjaleve të qarta të përkeqësimit të situatës ekonomike.
“Ajo që është evidente është se kjo po cilësohet si kriza më e madhe e energjisë, sidomos në 4–5 dekadat e fundit, qoftë për nga çmimet, se ku kanë shkuar, qoftë për nga potenciali se si mund të ndikojë. Është e çuditshme se si kjo çështje nuk po merret seriozisht në Kosovë. Në shkurt, inflacioni ishte 6%, por nuk kam parë asnjë aktivitet nga kryeministri dhe as nga ministrat që kanë dalë me propozime konkrete për këtë çështje. Këta që qeverisin dhe që kanë qeverisur në pesë vitet e fundit nuk e kanë ‘haberin’ për gjendjen e ekonomisë reale. Po flasim për xhepat e njerëzve dhe për qarkullimin e bizneseve,” u shpreh ai.
Ai shtoi se mungesa e reagimit qytetar ndaj rritjes së çmimeve është një fenomen që kërkon analizë më të thellë sociale, ndërsa akuzoi kryeministrin për mosmenaxhim të duhur të situatës.
“Çështjen e mungesës së protestave për rritjen e çmimeve do ta trajtoja me sociologë. Kurti po përdor buxhetin për të menaxhuar këtë krizë sociale. Në Kosovë ka rritje të numrit të të varfërve dhe ai po menaxhon varfërinë e tyre me politikën e tij. Mesatarisht, gjatë periudhës së fundit, kanë ikur rreth 50 mijë njerëz në vit,” deklaroi Rukiqi.
Duke folur për çmimin e naftës, ai kritikoi Qeverinë për mosveprim në aspektin fiskal, duke propozuar uljen e TVSH-së si masë lehtësuese për qytetarët.
“Sa i përket çmimit të naftës, qeveria po duket sikur po jeton në një planet tjetër. Pse nuk u veprua me TVSH-në? Akciza nuk mund të ndryshohej pa Kuvendin, por ne do të kemi iniciativë parlamentare për këtë çështje, e cila do të duhej të vinte nga ministri. Normat nuk mund të ndryshohen, por brenda tyre mund të krijohen lista, siç është bërë më herët për produktet bujqësore. Është në diskrecion të ministrit që të dërgojë një listë dhe, me vendim të qeverisë, TVSH-ja mund të ulet nga 16% në 8% ose në 0%. Në këtë mënyrë, efekti real do të ishte rreth 1.35 cent për litër të naftës. Përsëri nuk do të ishte në nivelin e duhur, por do të ishte mas lehtësuese për qytetarët,” përfundoi ai.
