Kroacia po hyn në një vit historik pasi i bashkohet zonës Shengen pa kufij të BE-së. Tashmë ajo do të heqë dorë nga monedha e saj, kuna, duke adoptuar euron.
Vendi u angazhua për t’u bashkuar me eurozonën kur u bë anëtari më i ri i BE-së në vitin 2013.
Partitë nacionaliste donin të mbanin kunën, por u rrëzuan nga gjykata kushtetuese.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i përshëndeti ndryshimet si “dy arritje të jashtëzakonshme” për shtetin më të ri anëtar të BE-së.
Ajo tha se 1 janari – kur zyrtarisht ndodhën ndryshimet – do të ishte një ditë “për librat e historisë”.
Mbi të gjitha, ky do të ishte një moment “gëzimi dhe krenarie për popullin kroat”, tha ajo.
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, tha të dielën se vendi – një ish-republikë jugosllave që luftoi një luftë për pavarësi në vitet 1990 – kishte “arritur qëllimet e tij strategjike, shtetërore dhe politike” nga dy ndryshimet historike.
Hyrja e Kroacisë në zonën Shengen pritet të nxisë industrinë e saj të turizmit, e cila përbën 20% të PBB-së së saj dhe mirëpret miliona vizitorë çdo vit.
Përdorimi i euros është tashmë i përhapur në vend, me asete kyçe si banesat të vlerësuara në monedhë dhe një përqindje e madhe e depozitave bankare të shprehura gjithashtu në euro.
Ekspertët thonë se lëvizja në monedhën evropiane duhet të ndihmojë në mbrojtjen e ekonomisë së Kroacisë në një kohë inflacioni në të gjithë globin.
Euro u lançua më 1 janar 1999 si monedhë elektronike dhe u bë mjet ligjor për rreth 300 milionë njerëz në 12 shtete anëtare më 1 janar 2002. Me shtimin e Kroacisë, tani ka 20 vende në eurozonë.