Atleti kroat Ante Zhivkoviq ka fituar vendin e parë në maratonën “Prishtina 2022”, ndërsa i dyti në këtë garë u rëndit Erzen Zyberaj e vendin e tretë e zuri Emin Grajqevci.
Në këtë maratonë, të organizuar nga Federata e Atlektikës e Kosovës, garuesit morën pjesë në disiplina të ndryshme si 5km, 10 km e deri në atë më të gjatën që ishte 42 kilometra, në të cilën doli fitues Zhivkoviq.
Vendi i parë në këtë maratonë u shpërblye me 500 euro, i dyti me 450, kurse i treti me 400.
“Epo, ishte e mrekullueshme, gara filloi mirë, ishte pak ngrohtë në fillim, kështu që nuk ishte shumë vapë, por para fundit kishte një tatëpjetë të vogël dhe dielli doli, kështu që 7 kilometrat e fundit ishin të vështira… Shtegu është i mirë, në 7 kilometrat e fundit ishte një tatëpjetë e lehtë, gjë qe nuk e kam ditur deri sa e pashë mbrëmë pistën, do të thotë profilin e pistës, ndaj thjesht e prisja të ishte e vështirë, por mirw se fillimi ishte në orën 9, kështu që pjesa më e madhe e garës shkoi mirë”, tha Zhivkoviq, raporton KP.
Kurse, Zyberaj u shpreh i lumtur që mori vendin e dytë në këtë maratonë edhe pse tha se angazhimi dhe pjesëmarrja nga gara të tjera ndërkombëtare ka bërë që në këtë maratonë të marrë pjesë pa pasur synime për të fituar. Ai premtoi se do të punojë shumë në këtë drejtim dhe që në të ardhmen të jetë në mesin e atletëve që synojnë medalje edhe në gara të tjera.
“Për mua është kënaqësi që të marr pjesë në maratonën e Prishtinës për faktin që është hera e dytë që marr pjesë prej viti 2014, sepse unë nuk kam qenë aktiv në vrapime kështu që për mua është ndjenjë e mirë. Realisht unë nuk kam qenë i fokusuar të marr pjesë në këtë garë për shkak se i kam pasur dy gara para një muaji, Kampionatin Botëror 100 kilometra në Berlin dhe në Itali në Kampionatin Botëror “Sky Runner”, kështu që kamë qenë shumë i ngarkuar fizikisht, mirëpo vetëm kam pasur dëshirë të marr pjesë. Për mua është fillimi, unë jam në proces, besoj dhe shpresoj që pas dy apo tre viteve do të jemi atje ku po shpresojmë të jemi”, tha Zyberaj.