Kryediplomati iranian: Ashtu siç jemi të gatshëm për bisedime me SHBA-në, jemi edhe për luftë

Kryediplomati iranian: Ashtu siç jemi të gatshëm për bisedime me SHBA-në, jemi edhe për luftë

Irani ka thënë se është i gatshëm që të bisedojë me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse bisedimet nuk janë nën detyrim dhe nuk e përfshijnë programin raketor të Iranit, përderisa diplomatët po mundohen që ta largojnë rrezikun për një konflikt rajonal.

Pas takimeve me diplomatët turq të premten, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se vendi i tij është “i gatshëm që të fillojë bisedime, nëse ato mbahen mbi bazën e barazisë, të mbështetura në interesat reciproke e respektin e ndërsjellë”, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai tha se nuk ka plane të menjëhershme për t’u takuar me zyrtarë amerikanë, duke shtuar: “Dua që të deklaroj në mënyrë të vendosur se kapacitetet mbrojtëse dhe raketore të Iranit nuk do të jenë kurrë temë për t’u biseduar.”

Kryediplomati iranian më tutje shtoi: “Republika Islamike e Iranit, njësoj siç është e gatshme për bisedime, është gati edhe për luftë.”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se shpreson që t’i shmangë veprimet ushtarake dhe la të kuptohej se bisedimet me Iranin janë ende të mundshme, edhe pse Uashingtoni dislokoi një luftanije tjetër në Lindjen e Mesme, duke iu bashkuar aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa luftanijeve të tjera të armatosura me raketa.

Duke folur në premierën e dokumentarit të bashkëshortes së tij, Melania Trump, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Irani duhet të bëjë “dy gjëra” për t’i shmangur veprimet ushtarake të vendit të tij. “Numër një, jo [armë] bërthamore dhe numër dy, ndërpriteni vrasjen e protestuesve.”

Irani i ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përhapjen e protestave që nisën në fund të dhjetorit për shkak të vështirësive ekonomike dhe më pas u shtypën në mënyrë brutale nga autoritetet. Grupet e aktivistëve vlerësojnë se deri në 30 mijë njerëz mund të jenë vrarë gjatë shtypjes së protestave.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se rinisja e bisedimeve mes Teheranit e Uashingtonit për programin bërthamor të Iranit është “jetike për uljen e tensioneve rajonale”. Duke folur krahas homologut iranian, ai pretendoi se Irani po e shtyn ShBA-në që ta sulmojë Iranin, duke i bërë thirrje Uashingtonit që të mos lejojë që kjo të ndodhë.

Në një bisedë telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, presidenti turk, Rexhep Erdoan, tha se është i gatshëm që të veprojë si ndërmjetës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Related Articles