Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, është i pamundur.
“Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase”, u shpreh ai.
Këtë deklaratë Daçiqi e bëri gjatë një interviste që ai dha për agjencinë Beta, më 13 dhjetor, teksa komentoi fletarrestimin e lëshuar për Radoiçiqin nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë – INTERPOL.
INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radoiçiqit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.
Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar ministri i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se ai është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.
Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.