Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, lidhur me krizën energjetike të krijuar në vend, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai gjatë fjalës së tij tha se “Kryeministër ju ka humbur rruga në oborr, s’po dini qa me na thënë neve e as qytetarëve të Kosovës”, tha Zemaj.
Ai ka thënë se derisa shtetet tjera po mendonin qysh vitin e kaluar për krizën energjetike, Kosova nuk e kishte prioritet këtë.
“Atë kohë derisa Greqia filloi të merrej me krizën energjetike, debati aty ishte si të ndihmohen ekonomitë e mesme dhe qytetarët me ardhura të pakta, kryeministri i jonë po mbante ligjërata për Platonin e Aristotelin në Greqi. Jeni vonuar, s’keni qenë serioz nuk keni qenë hap me kohën”, ka thënë Zemaj.
Kjo deklaratë e tij erdhi pasi Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova si shtet nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të prodhuar rrymën që konsumohet, sidomos gjatë dimrit dhe varësia nga importi nuk ka qenë problem derisa nuk është rritur çmimi i importit.
Sipas saj, në situatën në të cilën ndodhet vendi, ekzistojnë vetëm dy opsione: reduktimet e ashpra ose rritje të tarifave.
Rizvanolli gjatë fjalës së saj në foltore të Kuvendit, ka sqaruar se me subvencionimin prej 75 milionë eurove, do të parandalohet edhe rritja e çmimeve nga bizneset. / Gazeta Enigma.