Kryeministri i Tajlandës, Prayuth Chan-ocha, i ka mbijetuar votimit të katërt të mosbesimit në parlament.
Prayuth dhe 10 nga anëtarët e kabinetit të tij i mbijetuan votimit, pas katër ditësh debati, ku ministrat fajësoheshin për keqmenaxhimin ekonomik dhe dështimin e tyre për të parandaluar korrupsionin.
Kryeministri fitoi 256 vota besimi dhe 206 kundër, me nëntë abstenime.
Prayuth ishte objektivi kryesor i partive opozitare në katër ditët e debatit që u transmetua drejtpërdrejt në televizion.
Shefi i opozitës, Sutin Klungsang, tha se dështimi kryesor i kryeministrit ishte menaxhimi ekonomik.
Prayuth ka mbijetuar përmes tre mocioneve të mëparshme që nga viti 2020, raporton DW.
Gjenerali 68-vjeçar në pension ka qenë në pushtet që nga grushtshteti që ai drejtoi më 2014.
Mandati i tij është planifikuar të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm. Megjithatë, nuk ka ende një indikacion nga kryeministri se kur do të shpallen zgjedhjet.