Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë që vendi ynë do të jetë prej atyre shteteve që fillimisht do t’i bashkohet NATO-s e pastaj do të hyjë në Bashkimin Evropian.
Kurti në një ligjëratë në Universitetin e Kembrixhit, tha që hyrja në NATO është më e shpejt dhe më e lehtë sesa në BE.
“Fillimisht duhet t’i bashkohemi programit të Partneritetit për Paqe në NATO. Ky është hapi i parë, imagjinoj se hyrja në NATO është më e shpejt dhe më e lehtë sesa në BE. Do të jemi prej atyre shteteve që do t’i bashkohemi NATO-s para BE-së”.
“Kemi bashkëpunim tejet të mirë me NATO-n në Kosovë. Shqipëria është në NATO, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi është në NATO dhe besoj se me përfshirjen e Kosovës, i gjithë rajoni dhe Evropa si kontinent do të jenë më të sigurta.Në këtë mënyrë shumë më pak do të konsumonim sesa prodhonim siguri. Nuk mund të vendosi datë, sepse nuk varet nga unë, por po të varej nga unë do të thoja dje”, tha Kurti.