19 qershori shënon ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, andaj Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria.
Përmes një postimi në Facebook, shefi i Qeverisë ka thënë se është detyrim i përbashkët që t’i përkrahim të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra. Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë. Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”, ka shkruar kryeministri.
Gjithashtu ai tha se përmes ndryshimit të ligjit është zgjatur afati për aplikim për njohjen e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës, deri më 15 maj 2025.
“Duke ua njohur vuajtjet grave dhe vajzave, burrave dhe djemve të mbijetuar, ne i inkurajojnë që të thyejnë heshtjen për këtë krim lufte”, ka shkruar Kurti më tej. /Gazeta Enigma