Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur nxitëse deklaratat e Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, se në rast që nuk tërhiqet vendimi për reciprocitetin për targat, serbët do nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në adresimin e sotëm, Kurti tha se të tilla deklarata nuk i kontribuojnë ligjit, dhe ka shtuar se asnjë nga serbët e Kosovës nuk i shkruajnë për Asociacionin.
”Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, peticioni i qytetarëve dhe në anën tjetër, në zyrën time, ajo çfarë mund t’iu them, nuk ekziston asnjë letër e asnjë qytetari serb të Kosovës që thotë ‘zbatoje Asociacionin’. Asnjë. Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjëra nuk është për Asociacionin”.
”Unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015, por gjithashtu edhe interesi publik i yni, nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha Kurti.