Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar 4 Korrikun, datën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e festojnë përvjetorin e pavarësisë.
Urimin për ditëlindjen e 264 të SHBA-së, Kurti e ka lidhur me situatën në Ukrainë, duke thënë se “autokracia e Putinit po i sulmon vlerat demokratike”.
“Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
4 Korriku
Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.
Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”
Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Rawls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.
Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?
Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.
Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.