Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se rezultatet e xhudos janë kryefjala e sportit vendos tash e 15 vjet.
Ai, gjatë ceremonisë së lansimit të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, tha se rezultatet në xhudos janë ato që identifikohet secili individualisht, si shoqëri, por, sipas tij, mbi të gjitha si shtet.
“Më tej, kryeministri Kurti tha se sporti është dëshmuar si një nga mekanizmat kyç në procesin e ndërtimit të imazhit tonë shtetëror dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sporti në përgjithësi, e xhudoja posaçërisht, ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë përbrenda shoqërisë tonë, dhe krijimin e perceptimit pozitiv të opinionit të huaj për Republikën tonë”, thuhet në komunikatën e kryeministrisë.
Tutje, ai tha se programi “Kosova, Shtet i Xhudos” është hapi konkret të cilin qeveria e ka marrë për të siguruar promovimin ndërkombëtar, por edhe për zhvillimin maksimal të këtij sporti brenda Kosovës.
“Atë çfarë xhudo i ka sjellur Kosovës ndër vite: shpresë, krenari dhe sukses – duam të sigurohemi se do të jemi prezent gjithmonë tek ne, dhe shumë gjatë edhe në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Kurti, thuhet në komunikatën e qeverisë.