Kryeministrja daneze Mette Frederiksen dënoi siç tha ajo “imazhet e tmerrshme” që vijnë nga Gaza, por beson se nuk është koha e duhur për të njohur shtetin palestinez.
Kjo vjen ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer përgatitet të njohë shtetin palestinez në shtator.
Frederiksen tha se “Danimarka është mbështetëse e shtetit palestinez” dhe se kjo është “rruga përpara”. Por ajo tha gjithashtu se njohja duhet të ndodhë në një kohë kur mund të krijohet një shtet i qëndrueshëm dhe demokratik në Palestinë pa ndikimin e Hamasit.
“Dhe sigurisht, kjo duhet të ndodhë me njohjen reciproke të Izraelit. Të gjithë kanë të drejtën e paqes dhe sigurisë”, tha ajo, duke shtuar:
“Njohja e Palestinës këtu dhe tani nuk do t’i ndihmojë mijëra fëmijëve që aktualisht po luftojnë për mbijetesën e tyre. Pavarësisht se sa shumë e dëshironi. Në vend të kësaj, ne duhet të rrisim presionin si mbi Izraelin ashtu edhe mbi Hamasin. Danimarka do të mbajë presidencën e Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm. Një rol i veçantë në të cilin ne do të punojmë për të rritur presionin”, tha ajo.