Kryeprokurori publik i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, është shprehur se në fund të këtij viti, ose në fillim të vitit të ardhshëm do të merret vendim për aktakuzën kundër Milan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë vitin e kaluar.
Siç ka njoftuar vet ai, po kontrollohen të gjitha pretendimet e të dyshuarit, të cilat i ka bërë gjatë marrjes në pyetje në Departamentin e Hetimeve Kriminale në Beograd, raportoi mediumi serb “Danas”, transmeton Gazeta Enigma.
Gjatë hetimeve të bëra thuhet se janë kryer mbi 40 veprime procedurale.
“Vendimi për ngritjen e aktakuzës do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, ka thënë Sfanoviq për “Kosova Online”, duke shtuar se pret bashkëpunim adekuat me EULEX-in.
“Është kërkuar dorëzimi i raportit për hetime, fotodokumentacioni, raportet e autopsisë së të gjithë personave të vdekur, raportet mjekësore të të gjithë personave të lënduar. Janë kërkuar edhe procesverbalet nga ekspertiza e armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese, si dhe procesverbalet nga marrja në pyetje e të pandehurve dhe marrja në pyetje e dëshmitarëve”, ka shtuar Stefanoviqi.
Sipas urdhrit të këtij hetimi, Radoiçiqi akuzohet se me persona të tjerë të panjohur ka kryer tri vepra penale – shoqërim me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese dhe vepër e rëndë ndaj sigurisë së përgjithshme. /Gazeta Enigma