Kryeprokurorja e Ukrainës ka bërë të ditur se janë duke i hetuar 15 mijë raste të krimeve të luftës të dyshuara që janë shkaktuar nga forcat ruse, shkruan BBC.
Duke folur në Londër në udhëtimin e saj të parë jashtë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, Iryna Venediktova thotë se nga 100 deri në 200 raste të reja vijnë çdo ditë në zyrën e saj.
Ajo ka takuar Prokuroren e Përgjithshme të Britanisë, Suella Braverman dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë më shumë Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë e tjera perëndimore për të mbështetur procesin e hetimit.
“Sot kemi afër 14 mijë raste, vetëm për krime lufte dhe afër 6,000 raste të ndërlidhura. Do të thotë se kemi një numër të madh precedentësh dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më shumë: janë 100 shtesë, 200 shtesë, varet nga dita”, tha ajo.
Venediktova thotë se krimi më i zakonshëm i supozuar i luftës është bombardimi i ndërtesave civile, veçanërisht spitaleve dhe shkollave. Në total, ajo thotë se më shumë se 1,000 ndërtesa mjekësore dhe arsimore janë shkatërruar.
Ajo thotë gjithashtu se civilët po vriten, dhe ka plaçkitje dhe përdhunime nga ana e ushtarëve rus.
Venediktova bën të ditur se kanë nisur hetimet për gjenocid në Ukrainë i cili është shkaktuar nga ushtarët rus.
“Unë absolutisht jam dakord që ne në Ukrainë po përballemi me gjenocid. Pse? Sepse ata, dua të them ushtria ruse, dhe komandantët e lartë rusë ushtarakë erdhën në Ukrainë për të shkatërruar shtetin ukrainas, për të vrarë të gjithë ukrainasit, dhe ata duan që kjo tokë [të jetë] si një pjesë [e] Federatës Ruse”.
Ajo pranon se do të ishte e vështirë të hetohej gjenocidi në territorin e kontrolluar nga Rusia.