Kryetarët e komunave nuk kanë përmbushur as gjysmën e premtimeve

Kryetarët e komunave nuk kanë përmbushur as gjysmën e premtimeve

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave për mandatin 2021-2025, me përkrahje të Helvetas/Projekti për Decentralizimin dhe Përkrahje Komunave (DEMOS).

Nga gjithsej 1 mijë e 816 premtime të dhëna nga 27 kryetarë të komunave, 765 premtime apo 42 për qind janë përmbushur plotësisht, 304 premtime apo 17 për qind konsiderohen gjysmë të përmbushura, 326 premtime apo 18 për qind janë të filluara, ndërsa 421 premtime apo 23 për qind ende nuk kanë filluar dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap për përmbushjen e tyre.

Ky përditësim përfshin periudhën deri në fund të qershorit 2024.

Vlerësuar sipas fushave, përqindja më e lartë e premtimeve është përmbushur në fushën e administratës dhe atë të shëndetësisë me 66 për qind, pasuar nga fusha e arsimit, bujqësisë dhe ekonomisë me së paku 50 për qind të premtimeve të dhëna. Fushat me përmbushjen më të ulët të premtimeve janë infrastruktura, urbanizimi dhe shërbimet publike.

Instituti GAP bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Kryetarët e komunave sikurse Mamusha dhe të dhjetë komunave të banuara me popullsi me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike edhe përmes bashkëpunimit me organizatat lokale.

Ky është vlerësimi i tretë për këtë mandat qeverisës të nivelit lokal.

Related Articles