Kryetarët serbë thonë se në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin

Kryetarët serbë thonë se në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë u takuan të premten në Prishtinë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, por thanë se “nuk është diskutuar për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, tha se ata nuk janë kompetentë për çështjen e integrimit dhe se ajo duhet të negociohet brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne, si kryetarë komunash, besojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi; është ekskluzivisht një temë për negociata dhe negociatorët kryesorë”, tha ai.

Takimi i kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe dhe ministrit Krasniqi u paralajmërua më herët nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit dhe se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje, shkruan REL.

“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave të tregonin sa më shumë përgjegjësi që të jetë e mundur në këtë fazë, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet kryesisht nga qasja që do të ndjekin në javët e ardhshme”, tha Bislimi.

Related Articles