Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit u përplasen kryetari Alban Hyseni dhe kryesuesi i kuvendit, Kushtrim Kadriu. Hyseni ia ka ndalur me duar të tij mikrofonin Kadriut.
Kadriu tha se një veprim i tillë nga i pari i komunës është i pritshëm, pasi që kryetari vjen nga një parti që standard e ka hedhjen e gurëve e hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend.
“Veprime të tilla që ndodhën brenda kuvendit e që mund të ndodhin edhe në të ardhmen, nga njerëz të tillë janë të pritshme dhe aspak befasuese, duke pasur parasyshë faktin se kryetari vjen nga një parti që standard e ka hedhjen e gurëve, shkatërrimin e pronës publike, hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend e shumë veprime të tille që rrezikojnë dhe jetën e njeriut”, tha ai.
Tutje, Kadriu tha se në të ardhmen veprimet e tilla nuk do të lejohen në asnjë mënyrë, derisa shtoi se pengesave të qeverisjes së LVV’së do t’i përgjigjet me punë të mira për Gjilanin.
“Pengesave të shumta që më janë bërë nga ky pushtet që nga dita e parë e zgjedhjes sime si kryetar i kuvendit do t’u përgjigjem me vullnet të madh për punë, në të mirë të qytetarit të Gjilanit. Sot ishte seanca e parë e kuvendit nën drejtimin tim dhe nuk mora masa ndaj veprimeve të dhunshme të kryetarit që pengoi mbarëvajtjen e punës së kuvendit, por ju garantoj se veprime të tilla në të ardhmen nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë”, ka shkruar Kadriu në Facebook.