Kryetari Hyseni tregon se pse nuk është ndërtuar ende stadiumi i Gjilanit

Kryetari Hyseni tregon se pse nuk është ndërtuar ende stadiumi i Gjilanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka deklaruar se projekti final për stadiumin e qytetit është hartuar, çështja e shpronësimit është zgjidhur, dhe leja e re për ndërtimin e kategorisë katër është nxjerrë.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, lidhur me projektin e ndërtimit të stadiumit të qytetit, ka theksuar disa çështje kritike që kanë dalë në pah gjatë analizës së projektit.

Hyseni, në “Debat Plus”, ka thënë se projekti ka pasur disa mangësi, duke nisur se kishte filluar ndërtimi për kategorinë dy, ndërsa më pas është ndryshuar kategoria pa filluar procedurat për ndryshimin e kategorisë.

Kjo, sipas tij, ka sjellë nevojën për hartimin e projektit përmes një procedure të re të prokurimit, si dhe ndryshimin e kontratës për ekzekutim të projektit për të përshtatur vlerat.

“Kur jam bërë kryetar komune, kam takuar palët e ndryshme të përfshira në këtë projekt. Kam kuptuar disa mangësi, e para ka qenë që stadiumi është filluar për kategorinë dy, ndërsa është ndërruar kategoria pa filluar proceduar për ndryshim të kategorisë, që nënkupton hartimin e projektit përmes procedurës së re të prokurimit për hartim të tij, si dhe ndryshimin e kontratës për ekzekutim të projektit, sepse do të ndryshohej edhe vetë projekti, vlera”, ka deklaruar ai.

Në vijim, ai ka përmendur presionin publik që ka ushtruar ndaj kompanisë që ka ekzekutuar punimet, duke arritur në një përgjigje zyrtare.

Dhe, sipas tij, kompania ka kërkuar dy parakushte kryesore për të përfunduar projektin, duke përfshirë hartimin e projektit final dhe sigurimin e buxhetit të plotë për këtë fazë.

“Ndërkohë që presioni që ia kam bërë publikisht tek kompania që ka ekzekutuar punimet, ka çuar deri në atë pikë që më ka dërguar zyrtarisht me email edhe ka thënë se na duhen dy parakushte kryesore për të përfunduar projekti. E para është projekti final, gjë që nuk e kemi edhe nuk ka qenë në atë kohë. Dhe e dyta që të sigurohet buxheti i tërësishëm për këtë pikë, meqë rast buxheti ka qenë dhe është edhe sot në dispozicion”, ka theksuar ai.

Hyseni ka bërë të ditur se tashmë janë kryer disa hapa, duke përfshirë hartimin e projektit final, zgjidhjen e çështjes së shpronësimit dhe marrjen e lejes së re të ndërtimit për kategorinë katër.

Related Articles