Kryetari i Bordit të RTK-së: Po manipulohet qëllimshëm për veshjen, vendimi ka të bëjë me raportin për aktivitetet e punës

Kryetari i Bordit të RTK-së: Po manipulohet qëllimshëm për veshjen, vendimi ka të bëjë me raportin për aktivitetet e punës

Besnik Boletini, kryetari i Bordit të RTK-së, ka sqaruar çështjen pas reagimit të Sindikatës së RTK-së lidhur me veshjen e punëtorëve, duke thënë se qëllimisht e kanë manipuluar përmbajtjen e diskutimit që është bërë në mbledhje dhe i kanë dhënë qasje tjetër. 

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në asnjë mënyrë nuk ka deklaruar se punëtorët po vijnë me një veshje të caktuar në punë.

Por siç u shpreh ai ka folur për një perceptim dhe diskutim që flitet brenda RTK-së se ka punëtorë që nuk vijnë në punë fare, dhe në mëngjes apo në fillim të orarit të punës e bëjnë hyrjen (check in) kryejnë aktivitete tjera jashtë detyrave të RTK-së dhe kthehen në fund të orarit ose në mbrëmje për të bërë check out.

Ai thotë se duke i përshkruar këto zëra dhe perceptime në diskutim e sipër ka përmendur një shembull ashtu siç i është thënë, e jo që ai e ka deklaruar.

“Kam folur për një perceptim që është krijuar se disa punonjës bëjnë vetëm hyrje-dalje pa qëndruar në punë, e jo për mënyrën se si veshën kur vijnë në punë. Pra kam cituar diçka që më është thënë, dhe e kam theksuar se është i papranueshëm si informacion dhe perceptim që po më thuhet në ambiente të punës, që disa punonjës pas aktiviteteve të ndryshme vijnë dhe e bëjnë vetëm daljen duke u evidentuar në punë, pa punuar fare. Sigurisht që nuk ka qenë mënyra më e mirë për ta përshkruar dukurinë e pretenduar, por gjatë debatit e kam bërë përshkrimin eksplicitë siç më është thënë, pa e përpunuar.

Sot përmes një sqarimi u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin në punë pa qenë në ambiente të punës”, ka thënë Boletini.

Ky diskutim është zhvilluar pas vendimit të bordit të RTK-së ku i kërkon menaxhmentit që të aplikojë raportimin mujor të aktiviteteve të punës për secilin punonjës. Kjo për faktin se flitet që disa punonjës për javë apo muaj nuk bëjnë asnjë punë, por evidentohen duke bërë hyrje-dalje në punë, por pa qëndruar fare aty dhe e marrin rrogën pa punuar.

Vitin e kaluar disa punonjës kishin deklaruar se marrin rrogën dhe nuk shkojnë për të punuar fare në RTK, e cila paguhet nga taksat e qytetarëve.

Boletini ka thënë se Qëllimi i këtij vendimi është që të rritet llogaridhënia dhe përgjegjshmëria në punë. Kjo edhe për faktin se RTK aktualisht ka mbi 770 punonjës. E kam parasysh se mund të mos pritet mirë nga të gjithë.

“Raportimi mujor për aktivitetet ditore të punës ka për qëllim vlerësimin e mundit të secilit punonjës. Pra, nuk kërkohet punë shtesë, aktivitet tjetër, por një përshkrim i thjeshtë i aktiviteteve të punës, e cila mund të organizohet nga secili se si e bënë.  Nuk është e drejtë që dikush që ka punuar vazhdimisht të mund të vlerësohet me notë të njëjtë apo më të ulët me dikë që nuk ka punuar sa duhet, apo nuk ka punuar për një periudhë të caktuar. Kjo mund të jetë demotivuese”, ka thënë ai.

Tutje ka theksuar se nuk ka vend aspak për shqetësim. “Të shqetësuar mund të jenë vetëm ata – nëse ka të tillë- që për javë të tëra nuk punojnë gjë, ose kanë edhe angazhime tjera paralele gjatë orarit të punës. Gjithnjë nëse ka të tillë. Kushdo që i shmanget punës, i bie që e ngarkon shumëfish punën e kolegëve të tjerë, e në anën tjetër të paguhet sa ata, në mos më shumë. Kjo është e padrejtë”, ka thënë Boletini

Related Articles