Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj njihet si “kryetar tereni”. Sipas tij, “kryetari nuk është veç me nejt në zyre”. Në një intervistë për Indeksonline ai krahasoi edhe punën e deputetit me atë të kryetarit.
“Për me i përcjell mirë punët duhet të jetë në teren. Kur del në teren iu jep vullnet edhe institucioneve tjera psh komunale.. i përcjell punët në teren e din cka punohet, nese rrin vec në zyre nuk din cka po ndodh edhe nuk mundesh me i kontrollu punët”, thekson ai për Indeksonline.
Ai pohon se pozita e deputetit është më komode sesa ajo e kryetarit të komunës.
“Tash eshte dinamika shumë më e madhe si deputet. Deputet është një vend më komod sesa kryetar komune. Kryetari ka shumë më shumë probleme, mirëpo puna si kryetar shihet por puna e deputetëve duhet të jesh i vrazhdë, shumë aktiv, për më sulmu për me u mbajt në mend, përndryshe vec kur ka ndonjë vendim shumë të rëndë sic ka qenë gjykata speciale, përndryshe problem me u mbajt në mend si deputet i kuvendit të Kosovës”, u shpreh ai.
Pasi që gjatë gjithë kohës është në lëvizje ai tregon edhe për komentet që i merr nga qytetarët.
“Marrim komente te mira por edhe jo të mira. Nuk ka njeri të përkryer pa gabime. Edhe komentet jo te mira na mësojnë për të ardhmen, me përqindje 97 % marrim komente të mira. “Mirë e ki kështu duhet të punohet, te ishin kanë edhe kryetarët tjerë kështu, kishin me kane edhe krejt komunat”, thotë Muharremaj.
Kryetari bëri të ditur disa nga projektet që do ti realizojnë këtë vit.
“Vitin e ardhshëm e kemi në projekt shtëpinë e kulturës në Suharekë, shtepinë e kulturës në Mushtisht, sallën sportive në Sopijë. Kemi një sallë sportive që presim me përfundu në Grejkoc, Suharekë, kështu që presim me i përfundu sallat sportive ne komunen e Suharekës nëpër fshatra”, thotë ai.