Behar Begaj, një emër i njohur në skenën politike të komunës së Prizrenit, i është bashkuar zyrtarisht sot Lëvizjes Vetëvendosje pas një karriere brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku ka shërbyer si kryetar i Nëndegës së LDK-së në Zhur dhe anëtar i Kryesisë për katër mandate të njëpasnjëshme.
Ai gjithashtu ka qenë asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit dhe kryetar i Bashkësisë Lokale në Zhur.
Në njoftimin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se ky aderim përfaqëson një vlerësim të lartë për angazhimin e vazhdueshëm dhe përvojën politike të Begajt dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët do të luajnë një rol të rëndësishëm në përforcimin e strukturave të Lëvizjes në këtë komunë.
“Së bashku me të, në Lëvizjen VETËVENDOSJE! aderojnë edhe shumë bashkëpunëtorë të tij me përvojë dhe përkushtim në jetën publike dhe politike. Ky hap i rëndësishëm përforcon strukturat e Lëvizjes në Prizren dhe është një garanci për një angazhim edhe më të fuqishëm në shërbim të qytetarëve. Mirë se vini në Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, thuhet në komunikatë.