Kryetari i SBASHK-ut u takua me Ministrin Sveçla dhe Ministren Nagavci

Kryetari i SBASHK-ut u takua me Ministrin Sveçla dhe Ministren Nagavci

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës ka njoftuar se Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla  me anëtarë të kabinetit të tij dhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci  janë takuar me kryetarin  e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj dhe koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri, transmeton Gazeta “Enigma”.

Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë thënë se kanë përcjellur shqetësimet e tyre lidhur me Ligjin e Pagave si dhe mungesën e dialogut.

“Përfaqësuesit e SBASHK-ut janë deklaruar në fillim të këtij takimi se kanë bërë shumë përpjekje për të nisur takimet e sindikatës me përfaqësues të institucioneve me qëllim që të marrin informacione nga dora e parë lidhur me fatin e Ligjit të pagave dhe se i gëzohen këtij takimi me Ministrin Sfeçla, Ministria e të cilit edhe është sponzorizuese e Ligjit të pagave. Ata kanë përcjell gjithë shqetësimet e anëtarësisë  duke kujtuar se në mungesë të dialogut për një kohë të gjatë  kërkesat ishin që të fillohet me veprime sindikale” thuhet në njoftimin e SBASHK-ut. 

Tutje, ata kanë shtuar se me arsye kanë pritur që në kuadër të rrjedhës së aktivitetit, përgatitja e  versionit të Ligjit ,sipas tyre, pas heqjes së gabimeve që ka përmendur Kushtetuesja, do të bëhej angazhim i përbashkët në përmirësimin e koeficientit për mësuesit dhe për qartësimin e pozitave dhe koeficienteve për një pjesë të të punësuarve në administratën e Universiteteve.

” Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar nga Ministri Sfeçla e Ministrja Nagavci që të angazhohen me gjithë mundësitë e tyre që në Ligjin e buxhetit të caktohen mjete buxhetore që do ta mundësonin implementimin e Ligjit të pagave”.

“Ministri Sfeçla u ka deklaruar përfaqësuesve të SBASHK-ut se është duke u punuar në Ligjin  e Pagave dhe se është menduar se faza fillestare do të kryhej më herët, por është parë se duhet pasur kujdes të shtuar në mënyrë që të mos bëhen prapë  lëshime, të cilat do të ndikonin që edhe pas votimit të Parlament, Kushtetuesja të gjente lëshime dhe ta kthente prapë ligjin, gjendje kjo që do të shtonte  pakënaqësitë te palët” kanë deklaruar nga SBASHK-u. 

“Ai është shprehur se me të përgatitur  të versionit të parë, në kohën më të shkurtër të mundshme, para se të dërgohet  Ligji në Qeveri, do të hapet debati dhe do të jenë të ftuara edhe sindikatat  që të japin mendimet  dhe kontributin e tyre. Ministrja Nagavci duke u kyçur në këtë bashkëbisedë ka theksuar se e ka parasysh çështjen e koeficientit për mësuesit, porse kishin mbetur keq edhe pedagogët, psikologët, sekretarët dhe bibliotekistët”, kanë njoftuar nga kjo sindikatë.

“Duke e vlerësuar  si përmbajtjesor këtë takim  SBASHK  do ta mbaj se shpejti një takim konsultativ nga larg me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve për t’i informuar për rrjedhën e këtij takimi dhe për të vendosur çfarë tutje”, shkruhet tutje./Gazeta “Enigma”/

Related Articles