Kryetari i tifo-grupit “Plisat” dënohet një vit e pesë muaj burgim

Kryetari i tifo-grupit “Plisat” dënohet një vit e pesë muaj burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj kryetarit të tifo-grupit “Plisat”, Rinor Grajqevci, duke e dënuar me dënim unik prej 1 viti e pesë muaj burgim për “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjyqtari Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Grajqevci, për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” u dënua me një vit burgim, ndërsa për “Armëmbajtje pa leje” me 6 muaj burg.

Gjyqtari Sadikaj njoftoi se vepra e tretë penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” është bashkuar me veprën e parë pasi që ekzistojnë të gjitha elementet e asaj vepre penale.

Ndaj të akuzuari Grajqevci, u shqiptua dënim unik prej një viti e pesë muajsh burgim. Ndërsa i dëmtuari u udhëzua në kontest civil.

I akuzuari u obligua të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 200 euro dhe 20 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Grajqevci nuk ishte i pranishëm në shpallje të aktgjykimit.

Grajqevci në seancën fillestare më 4 shtator, e pranoi fajësinë për veprat penale që i viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 17 nëntor 2020, Rinor Grajqevci akuzohej se më 15 maj 2020 rreth orës 18:25 në rrugën “Ahmet Haxhiu”, gjatë kohës që po drejtonte veturën, ka dalë nga vetura dhe me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të veturës së të dëmtuarit Arben Gashi, duke e goditur në pjesën e pasme, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, ai akuzohej për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Tutje, aktakuza thekson se nga data e papërcaktuar deri më 15 maj 2020, në rrugën “Ahmet Haxhiu” në Prishtinë, i akuzuari Grajqevci ka mbajtur pa autorizim armën e llojit Zoraki, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për armë, duke e përdorur për të shtënë në drejtim të veturës së të dëmtuarit.

Me këtë, ai akuzohej për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i akuzuari, me dashje dhe me qëllim, ka dëmtuar pasurinë e të dëmtuarit Arben Gashi, duke shtënë në veturën e tij, çka ka shkaktuar dëmtim material dhe ka ndryshuar dukjen e veturës.

Me këtë veprim, ai akuzohej për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 321, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Related Articles