Pasi kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova e anuloi vizitën e paralajmëruar në Kosovë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se veprimtaria për komunikim dhe ndërgjegjësim do të zhvillohet tërësisht online.
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka thënë se kjo bëhet për shkak të preferencës nga një grup i madh i pjesëmarrësve për të marrë pjesë në këtë veprimtari përmes platformës online “Zoom”.
Në konferencën e rregullt të DhSK-së, ka thënë se kryetarja e DhSK-së e ka shtyrë udhëtimin e saj në Kosovë deri pas periudhës së verës.
“Në vizitën, në të cilën kryetarja e DhSK-së, që ishte planifikuar më 4 korrik, në Gjilan, tani do të zhvillohet tërësisht online. Duke pasur parasysh preferencën e shprehur nga një numër i madh pjesëmarrësish për t’iu bashkuar eventit nëpërmjet Zoom, kryetarja e ka shtyrë udhëtimin e saj në Kosovë për pas sezonit së verës”, ka thënë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Gjithashtu, ai ka bërë të ditur se me urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake, Pjetër Shalës i është vazhduar masa e paraburgimit.
“Më 22 qershor, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për z. Shala, pasi konstatoi se rreziqet e arratisjes dhe të pengimit të ecurisë së procedimit apo kryerjes së krimeve të mëtejshme vazhdojnë të ekzistojnë. Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më tej se vetëm nëpërmjet rrjetit të monitorimit të komunikimit, të zbatueshëm në ambientet e paraburgimit të Dhomës së Specializuar, komunikimet e z. Shalës mund të kufizohen në një mënyrë që i zbut mjaftueshëm këto rreziqe”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka dhënë informacionet e përditësuara për zhvillimet në gjykatë që lidhen me procedurat gjyqësore.
Doyle ka bërë të ditur se më 21 qershor, kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi një trup gjykues të apelit për të vendosur lidhur me ankesat e paraqitura nga Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kundër aktgjykimit të 18 majit.
Ai ka theksuar se trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Ndërsa ka bërë të ditur se më 22 qershor, kryetarja e trupit gjykues Michelle Picard caktoi një konferencë para apelit javën e ardhshme më 5 korrik, në orën 14:00.
“Gjatë një konference para apelit, një personi në paraburgim, në pritje të apelit, i jepet mundësia të ngre çështje në lidhje me paraburgimin, duke përfshirë gjendjen mendore dhe fizike të personit në një seancë dëgjimore publike”, ka thënë ai./Kosovapress