Carol Whitmore, Komandante e Përgjithshme e Veteranëve Amerikanë, e shoqëruar nga Ryan Gallucci, Drejtor Ekzekutiv i Zyrës së kësaj organizate në Uashington, ka zhvilluar sot një vizitë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Siç bëhet e ditur nga OVL UÇK-ja, gjatë këtij takimi diskutimet janë përqendruar në rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet organizatave të veteranëve, rolin e veteranëve në ruajtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, si dhe në përvojat e përbashkëta në shërbim të paqes dhe stabilitetit.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për angazhimin dhe mbështetjen e saj ndaj Kosovës, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, i ndau Carol Whitmore një mirënjohje.
“Takimi u mbajt në frymë respekti dhe miqësie të ndërsjellë, duke riafirmuar lidhjet e vazhdueshme ndërmjet veteranëve të UÇK-së dhe veteranëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
