Situatë e njëjtë pritet të jetë në Kuvend edhe të premten, ditë kur kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, e caktoi ri takimin pas 48 orësh, meqë as në seancën e sotme Albulena Haxhiu nuk arriti t’i merrte votat e nevojshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit.
Deputetja e zgjedhur e subjektit më të madh politik, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni, tha se partia fituese e zgjedhjeve nuk ka emër tjetër, pos Albulena Haxhiut.
Ajo tha se arsyeja pse ka dështuar edhe sot të zgjidhet kryetari i Kuvendit është për shkak se partitë opozitare kanë refuzuar të marrin pjesë në votimin e propozimit të cilin e pati Vetëvendosje.
“Është ekskluzivitet i plotë i yni të propozojmë kandidatin që mendojmë se e përfaqëson më së miri edhe subjektin tonë politik, por në të njëjtën kohë është personi i duhur për të udhëhequr me Kuvendin e Kosovës, që është Albulena Haxhiu. Meqë kemi parë që partitë tjera politike nuk po duan të marrin pjesë në votimin e kandidates sonë, atëherë situata e njëjtë do të përsëritet sërish të premten. Unë uroj që të premten të gjithë deputetët në sallë të jenë të gatshëm të votojnë, sepse është e rëndësishme që Kuvendi të konstituohet dhe të shkojmë përpara me formimin e Qeverisë”, tha Kryeziu – Hyseni, për RTK.
Ligjvënësja e legjislaturës së nëntë tha se nuk duhet të krijohen precedentë, sepse njëjtë edhe ata mund të mos i votojnë emrat e nënkryetarëve, pa të cilat nuk do të mund të konstituohej Kuvendi.
Kryeziu-Hyseni tha se kjo çështje është mirë të tejkalohet, sepse, sipas saj, partia fituese propozon personin që e shohin më të duhurin për të udhëhequr me legjislativin dhe jo dikë që propozohet nga partitë tjera.
“Para së gjithash, ne do të propozojmë personin që ne mendojmë se është i duhuri, dhe sigurisht nuk do të propozojmë dikë që partitë tjera politike konsiderojnë se do të jenë personat adekuatë për të udhëhequr me Kuvendin”, tha ajo.