Kryeziu: Partia më e madhe ka përgjegjësi për konstituimin e Kuvendit, duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera

Kryeziu: Partia më e madhe ka përgjegjësi për konstituimin e Kuvendit, duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin e fundit të Kushtetueses që obligon partitë politike të zgjedhin kryetarin e Kuvendit brenda 30 ditësh nga çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi partinë më të madhe në Parlament, e cila duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera për të arritur kompromis dhe për të konstituar Kuvendin.

“Përgjegjësinë e ka partia më e madhe që ka më shumë deputetë në Parlament. Ajo ka për detyrë që të bashkëpunojë me partitë e tjera për konstituimin e parlamentit të Republikës së Kosovës,” ka thënë Kryeziu në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Ai ka shtuar se vendimi i Kushtetueses përdor dispozitën kushtetuese që i ngarkon Presidentit detyrën për nisjen e procesit të konstituimit nga momenti i shpalljes së rezultateve, por pa përcaktuar një afat për përfundimin.

“E kanë përdorur atë dispozitë të Presidentit ku thuhet: Presidenti ka për detyrë kushtetuese që, nga momenti i shpalljes zyrtare të zgjedhjeve, prej atij momenti fillon konstituimi i Parlamentit, dhe përfundimi nuk thuhet kur është përfundimi – por këta e kanë përdorur, shfrytëzuar këtë nen për të dalë nga situata e cila është absurde, jo normale dhe alogjike,” ka deklaruar ai.

Në lidhje me pyetjen nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30 ditëve, Kryeziu ka thënë se ligji nuk e thotë qartë këtë, por nënkuptohet dhe ka kërkuar që kjo të ishte e përcaktuar më qartë.

“Mas 30 ditësh nënkuptohet, se nuk shkruan, por kish qenë mirë me shkruar se nëse nuk zgjidhet brenda 30 ditëve, atëherë shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, por kjo lë për të nënkuptuar se duhet të fuzionohet edhe Presidentja e shtetit për me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme,” ka përfunduar Kryeziu.

Related Articles