Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka dalë me një qëndrim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, raporton Gazeta “Enigma”.
Përmes një postimi në profiline tij në Facebook ka thënë se priste qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada, por se ky vendim nuk e ofron këtë.
“Qëndrimi i shpalosur më poshtë është i bazuar në njoftimin që ka bërë sot Gjykata Kushtetuese, gjegjësisht vendimin final të saj. Aktgjykimi i plotë, ku do të shohim arsyet prapa vendimit, akoma nuk është bërë publik. E lexova me vëmendje njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për vendim në rastin KO193/25 dhe KO196/25 dhe e them shumë sinqerisht që prisja qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada. Fatkeqësisht, ky vendim nuk e ofron këtë”, ka shkruar ai.
Tutje ai ka shtuar se “Pika 1, 2 dhe 3 e njoftimit nuk janë objekt debati, pa i parë arsyet konkrete pse Gjykata Kushtetuese ka ardhur në këto përfundime. Gjithsesi, duke i njohur procedurat e Gjykatës, konsideroj që arsyetimi do të jetë i kopsitur mirë”.
Sipas Kryeziut Kushtetuesja me këtë vendim nuk ka bërë bartje të së drejtës për propozim nga një grup parlamentar te tjetri, por që një kandidat i caktuar mund të nominohet vetëm tre herë, dhe pas votimit të tretë, grupi më i madh parlamentar duhet ta ndryshojë emrin e kandidatit.
“Pika 4 e njoftimit e rikonfirmon që e drejta e propozimit për Kryetar të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. Pra nuk ka bartje të së drejtës për propozim nga një grup parlamentar te tjetri. Pjesa tjetër e kësaj pike është problematike. Gjykata ka vendosur që një kandidat i caktuar mund të nominohet vetëm tre herë, dhe pas votimit të tretë, grupi më i madh parlamentar duhet ta ndryshojë emrin e kandidatit”, tha ai.
“Pavarësisht arsyetimit që mund të japë Gjykata, gjë që do ta lexojmë kur ta kemi tekstin e plotë të Aktgjykimit, vendimi që e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar të kufizohet në tre herë nuk ka bazë në dispozitat materiale të Kushtetutës. Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht, dhe kjo nuk ka si të thuhet ndryshe, Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës”, ka theksuar Kryeziu.
“Po ashtu, Gjykata e ka rishkruar Aktgjykimin e vitit 2014 si dhe Aktgjykimin e vet të datës 26 Qershor 2025, ku thuhet qartë që deputetët mund të votojnë hapur ose në mënyrë të fshehtë. Në parim pajtohem plotësisht që votimi për Kryetar dhe Nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë i hapur, por kjo gjë është çështje politike dhe jo juridike. Nuk ekziston asnjë dispozitë materiale juridike që i jep Gjykatës të drejtën të vendosë për një formë të votimit ose tjetrën, aq më tepër kur vetë Gjykata disa herë është deklaruar që të dy format e votimit janë të mundshme”.
Kryeziu tutje tha se “Pika 5 e njoftimit është po ashtu problematike, sepse Gjykata nuk mund t’i urdhërojë deputetët çfarë të bëjnë. Me këtë formulim, njësoj si në vitin 2014, Gjykata është në shkelje të pikës 1 të nenit 70 të Kushtetutës. Refuzimi për të votuar dhe refuzimi për të marr pjesë në një proces votimi është manifestim i vullnetit të lirë politik të deputetit, një e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtarë që janë të zbatueshme në Kosovë”.
“Pika 6 është ripohim i vendimit të 26 Qershorit. Asgjë e re, pos që afati i ri 30 ditor do të fillojë të rrjedhë që nga dita e publikimit të Aktgjykimit të plotë. Ajo çfarë mungon në këtë vendim, dhe që është tejet e rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij vendi, është qartësia për rrugën përpara në ndërtimin e institucioneve. Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30 ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit. Po ashtu Gjykata nuk ka treguar çfarë pasojash juridike kanë deputetët që nuk i binden pikës 5 të vendimit, gjegjësisht urdhrit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë”, deklaroi ai.
“Kolegë të dashur nga Gjykata Kushtetuese, e respektoj vendimin tuaj, por kjo nuk do të thotë që keni vepruar mirë. Prisja më shumë nga ju”, ka përfunduar ai.