Përplasja mes ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës po thellohet.
Pas deklaratës ironike të Enver Hasanit për Kadri Kryeziun, ky i fundit ka reaguar ashpër përmes një replike të gjatë publike, duke e sfiduar Hasanin për debat të hapur dhe live në media.
“I dashur Enver, ti më njeh mirë dhe e di që i gjithë cinizmi dhe tallja nuk më bullizon dot”, shkruan Kryeziu në reagimin e tij.
Ai i përgjigjet deklaratës së Hasanit ku ky i fundit kishte thënë se “do t’i përgjigjej vetëm nëse Kadriu është në gjendje të riprodhojë live me gojë shkrimin e tij të mëparshëm”.
Kryeziu nuk kurseu ironinë në përgjigjen e tij: “I trembur nga madhështia e Babës që rrezaton kudo e i bën hije kujtdo, vogëlsia ime… e preferon që këtë riprodhim ta bëjmë me sllajde, e jo me gojë”.
Duke i bërë thirrje për maturi dhe përgjegjësi publike, ai e fton Hasanin në një debat publik, nën moderimin e një gazetari të paanshëm dhe profesionist.
“Të ftoj kur të duash dhe ku të duash, të debatojmë LIVE, pa dorëza e pa filtra”, shkruan ai.
Në vazhdim, Kadri Kryeziu rendit një sërë kritikash ndaj Hasanit, duke e akuzuar për degradimin e sistemit kushtetues në Kosovë dhe për vendime që sipas tij kanë kontribuar në ngërçin aktual politik.
Ai veçanërisht kritikon vendimin e vitit 2011 të Gjykatës Kushtetuese, të cilin e quan “shpikje”, pasi sipas tij imponon praninë dhe votimin e detyrueshëm të deputetëve në seanca – duke mohuar kështu një të drejtë kushtetuese.
“Ti Enver je përgjegjës që sot ne merremi me gjëra triviale si: a është kushtetues votimi i hapur apo i mbyllur. Një botë e tërë po qesh me ne”, shkruan Kryeziu.
Në fund, ai shprehet se Hasani ka “shumë mëkate ndaj Republikës”, përfshirë edhe, siç e quan ai, një “plan të errët për grusht shtet të heshtur” – të cilin e cilëson si “më të voglin prej tyre”.
“Të pres në debat, ku të duash dhe kur të duash. Të përqafoj e të uroj shëndet”, përfundon Kadri Kryeziu repliken e tij.