Kamionë e mjete të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike janë parë mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë të martën.
Përderisa po kryhen këto testime, Qeveria në detyrë ka thënë se nuk është e informuar se kush po i kryen ato.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se Ministria i ka kryer testimet vitin e kaluar e se për testimet e sotme nuk janë të informuar se nga kush po kryhen.
“Ne si ministri i kemi përfunduar testimet vitin e kaluar dhe e kemi pranuar raportin përfundimtar që ura është stabile për kalimin e të gjitha ngarkesave mbi urë. Ne nuk jemi duke bërë kurrfarë testime dhe nuk jemi të informuar kush po bën testime në urë”, ka thënë Durmishi për Kohën.
Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Mbi këtë urë qëndrojnë forcat italiane të KFOR-it. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.
E ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura.
Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. Fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.