Një përplasje e papritur ka ndodhur mes zv. kryeministres Emilija Rexhepi dhe ministrit Faton Peci.
Bëhej fjalë për një autorizim që po e kërkonte ministri Peci nga presidentja Osmani për një marrëveshje mes ministrisë së tij dhe GIZ-it gjerman.
Peci në fjalën e tij tregoi për rëndësinë që e kishte një marrëveshje e tillë.
“Lidhja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse do të ndikojë në rritjen e punësimeve në zonat më pak të zhvilluara, rurale,” – tha mes tjerash z. Peci.
Së pari, foli edhe ministri Nenad Rashiq që kërkoi kritere më pak të kushtueshme dhe të cilat do të favorizonin komunitetet pakicë.
Por, më pas reagoi znj. Rexhepi që e përkrahu kërkesën e Rashiqit dhe duke i nisur kritikat ndaj Ministrisë së Bujqësisë për mos-përkrahje të duhur të komuniteteve pakicë.
Peci u shpreh se që këto kritere të lehtësoheshin për komunitetet nuk ishte e mundur.
“Është krejt e pavërtetë ajo çka thotë znj. Rexhepi që komunitetet nuk kanë përfitu asgjë. Përkundrazi, kanë përfitu mjaft… Mjafton të shkosh në Mamushë… Ndërsa ato kërkesat që ti i ki në vazhdimësi që unë të shndërrohem në një ministër siç ka qenë Rikallo, ajo nuk mund të realizohet.” – u shpreh me ashpërsi Peci.
Kurti në anën tjetër ka dhënë mendimin e tij. Ai duket se i dha të drejtë pikërisht Rashiqit, dhe jo ministrit Peci.
Kryeministri tha se duhet mbështetur komunitetit, dhe veçanërisht komunitetin serb duke i thënë Rashiqit se i dukej e drejtë një gjë e tillë.
“I nderuari Peci ju lutem të jeni të kujdesshëm. Mund të përfundoni në Gjykatë,” – i tha znj. Rexhepi ministrit Peci.
“Mendojmë që anëtarët e pakicës kanë të drejtë në buxhetin e shtetit të vet. Dhe në atë kontekst në gjithë këto vite kemi kërkuar që të zbuten kriteret për dhënien e projekteve për komunitetet joshumicë.” – vazhdoi tutje ajo.