Politikani opozitar rus, Alexei Navalny, është dënuar me 19 vjet burg, nga një gjykatë në Moskë e cila i shqiptoi dënim fajësues nen akuza që lidhen me ekstremizëm për shkak të Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit.
Ai tashmë po vuan një dënim nëntë vjeçar për shkelje të lirimit me kusht, mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Akuzat shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.
Nuk është ende e qartë se ku do të kaloj kohën e burgut Navalny, shkruan BBC.
Në një mesazh të postuar në mediat sociale përpara vendimit, Navalny shprehu besimin e tij se do t’i jepej një burg i stilit “stalinist” i krijuar për të frikësuar kundërshtarët e tjerë të mundshëm.
Kur Navalny dha deklaratën e tij përfundimtare dy javë më parë, nuk kishte asnjë video apo regjistrim audio të fjalëve të tij. Por teksti i fjalimit të tij që kritikonte autoritetet ruse dhe luftën në Ukrainë u bë publik. Mbështetësit e tij, duke përfshirë aktorë dhe muzikantë rusë në mërgim, e lexuan dhe e postuan në internet.
Në vitin 2020, ai u helmua në Siberi nga ajo që laboratorët perëndimorë më vonë konfirmuan se ishte një agjent nervor (përbërës kimik shumë toksik.
Pasi u shërua nga sulmi, Navalny u kthye në Rusi në vitin 2021, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të arrestohej. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin Vnukovo të Moskës.