Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, reagon Dhoma e Tregtisë

Kundërshtohet shtrenjtimi i rrymës, reagon Dhoma e Tregtisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë vendim si të dëmshëm për ekonominë dhe punësimin.

Në një konferencë për media, drejtori i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, tha se rritja e çmimit të energjisë në këtë periudhë është e papranueshme dhe rrezikon mbylljen e bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës, shkruan Gazeta Enigma.

“Që nga fillimi kemi qenë kundër kësaj rritjeje. Bizneset dhe qytetarët nuk duhet të paguajnë për dështimet institucionale. Pothuajse çdo ditë kemi njoftime nga KESCO për rritje të kërkesës për import të energjisë, ndërsa për katër vjet nuk është sjellë asnjë investim i huaj domethënës në sektorin e energjisë,” u shpreh Ahmeti.

Ai theksoi se bizneset vendore tashmë po përballen me sfida të mëdha dhe një barrë shtesë si kjo vetëm sa do t’i rëndojë më tej. Dhoma e Tregtisë u bëri thirrje institucioneve që të mos e miratojnë këtë rritje dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për sektorin energjetik.

Gjithashtu, kryetari i kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Hamdi Malushaj ka shprehur shqetësimin lidhur me procesin e liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.

“Kosova është vendi më i parregulluar për tregun e hapur. Komponentët e liberalizimit të tregut të hapur janë shumë strikte….Unë kërkoj komision parlamentar që ta shqyrtojnë, ta pyesin ZRrE-në se cilët komponentë janë plotësuar”, shtoi ai.

ZRRE kishte njoftuar se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind.

I gjithë paralajmërimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, është paraparë edhe sot nga ora 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë./GazetaEnigma/

Related Articles