Profesori në Universitetin Georgetown dhe dhe ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Charles Kupchan, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po bën veprime të panevojshme provokuese.
Kupchan është shprehur se kjo nuk është në interesin e Kosovës,.
“Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas tij, të dy udhëheqësit – Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – kanë mbetur te mosmarrëveshjet e së kaluarës, në vend se të fokusohen tek e ardhmja.
Ai ka komentuar edhe debatin e nxehtë të së enjtes mbrëma mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, të cilët u përballën në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.
Ky është edhe një tjetër rund i dialogut të ashpër mes Kurtit dhe Vuçiqit. Pavarësisht faktit se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është në tryezë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë duket se po kthehen prapa dhe nuk po ecin përpara.
Unë mendoj se kryeministri Kurti është duke bërë disa veprime të panevojshme provokuese.
Ka qenë çështja e letërnjoftimeve, e targave, e instalimit të kryetarëve [shqiptarë] në veri, për të cilët ka votuar një përqindje shumë e vogël e banorëve… tani u thotë serbëve se nuk mund t’i përdorin dinarët më, ekziston vetëm një monedhë zyrtare dhe ajo është euroja.
A i ka të justifikueshme këto gjëra? Po, sepse çdo vend sovran duhet të jetë në gjendje të thotë se ne kemi monedhën tonë, euro… ose të ketë një autoritet përgjegjës për lëshimin e targave.
Por, duket se Kurti po i ndërmerr këto veprime duke luajtur me një kartë nacionaliste – me ç’gjë e vështirëson përparimin e Marrëveshjes së Ohrit”, ka thënë Kupchan.
Ndryshe, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen akuza të rënda, përfshirë rreth zbatimit të vendimit për kufizimin e importit të dinarit serb në Kosovë, ndërkohë që ambasadorët e vendeve perëndimore kërkuan nga palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës.