Lidhja Demokratike e Kosovës e ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit në Prishtinë, përkatësisht në Sallën e Sporteve.
Fushata e LDK-së u hap me himnin e Kosovës, himnin dardan, atë të LDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe një historik për presidentin Ibrahim Rugova.
Përpara të pranishmëve, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, u zotua se ajo çfarë nisi nga kjo parti, do të kushtëroj fort e do të mbahet mend gjatë.
“Ju premtoj, zotohem se çfarë kemi nisur sot këtu do të kushtëroj fort e do të mbahet mend gjatë për gjenerata të tëra që do të vijnë pas. Do të shikojmë me mburrje dhe do të kuptojmë se ndryshimi i shkurtit nisi në këtë sallë. Nga kjo sallë, LDK është ngritur në këmbë”, tha Abdixhiku.
Më tej, Abdixhiku tha se sonte shënojnë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën dhe shënojnë një moment definues për shtetin.
“LDK është ngritur në këmbë për të mos u ndalur asnjëherë, sepse kur LDK-ja ngritet në këmbë s’ka asgjë që e ndal. Sonte jemi para jush, jo vetëm si kryetar i katërt i LDK-së, jo vetëm si kandidat për kryeministër”.
“Por sonte jam para jush si një bir i kësaj toke, si një prind me ëndrra të mëdha për fëmijët e tij e fëmijët e Kosovës, e mbi të gjitha jam para jush si qytetar që refuzon të pranojë zymtësinë e vendit tim si normalitet të kohës”, tha ai.