Mosmarrëveshjet e konfliktet e ndryshme mes qytetarëve jo rrallëherë eskalojnë në kanosje serioze e përleshje brutale. Për pasojë, ata futen në telashe dhe përfundojnë në Polici si të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një lokal në rrugën “Ali Pashë Tepelena” në Gjakovë, ku një burrë 57-vjeçar, po dyshohet se ka kërcënuar seriozisht një grua, në lidhje me një rast të djemve të tyre.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari E.Ll., fillimisht para dy ditësh i kishte shkuar në butik viktimës, të cilën e ka akuzuar se ajo dhe djali i saj është fajtor pse i biri i tij ndodhet në burg.
Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti e ka kanosur duke i thënë se “Kur t’lirohet djali jem prej burgut kam me detyru me ta vra djalin”, thonë të njëjtat burime.
Sinjali mëson se 57-vjeçari edhe gjatë ditës së djeshme i ka shkuar viktimës në lokal, duke e paralajmëruar sërish se djali i saj do ta pësojë shumë keq në momentin që lirohet nga burgu.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta denoncojë të dyshuarin dhe të kërkojë ndihmë nga Policia para së të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, kur është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.