Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët myslimanë se dita e parë e festës së Kurban Bajramit është ditën e diel, më 16 qershor Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
“Manifestimi fillon në orën 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë Hetem ef. Sopjani – kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë. Namazi i Kurban Bajramit falet në orën 5:34, të cilit do t’i prijë Burhan ef. Hashani- kryeimam i Këshillit të BI-së së Prishtinës, ndërsa hytben – mesazhin e Kurban Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
Bashkësia po ashtu njoftoi se ditën e parë të festës do të organizojë pritje përurimi në selinë e Kryesisë, nga ora 9:00 deri në 12:00.
“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron festën e Kurban Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranoj haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Kurban Bajramit!”, përfundon komunikata. /Gazeta Enigma