Sipas disa sondazheve të fundit të bëra në disa media, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një rënie sa i përket mbështetjes në vota nga qytetarët. Të njëjtin mendim ndan edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.
Madje, ai thotë se kurdo që shkohet në zgjedhje, Vetëvendosje nuk do të dalë fituese.
“Kurdo që të shkohet në zgjedhje, unë e besoj që jo 51%, por në asnjë situatë Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të dalë partia e parë. Dhe me hulumtimet që po bëhen tash shihet që nuk ka asnjë parti politike që ka pasë për një kohë kaq të shkurtër rënie kaq të madhe dhe unë besoj në momentin kur të mbahen zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje ka me mbet një rast i izoluar i një aksidenti që thashë elektoral, të cilin jo që e ka mirëpërdorur për vendin, por e ka keqpërdorur skajshmërisht me arrogancë”, tha ai në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurti ka shënuar fitore bindëse, me 50.2% të votave duke siguruar 58 ulëse në legjislaturën e re. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë rreth 17 %, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës rreth 12.7 %.