Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Samir Kurteshi, ka fyer gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit të mërkurën, duke u thënë “qen të mediave” dhe “media kriminale të vrasësve me pagesë”.
Kurteshi ishte i pranishëm në QNR ku po rinumërohen votat e pavlefshme me postë.
“Nuk merrna me ksi, na kemi fitu, na u kanë lëshu me media e me krejt dhe kemi fitu. Kësi qen të mediave që kanë shkru gjithçka domethënë s’i marr parasysh… Le të pëlcasin e le të vinë, le të këqyrin qysh bëhet”, ka thënë ai, sipas videove të publikuara në disa portale.
Tutje, ai shkon edhe më larg në fyerje.
“Përcjellja e ka veç këtë qëllim: Media kriminale që kanë një qëllim, me qit Vetëvendosjen keq. Ju jeni media kriminale të vrasësve me pagesë sikur qysh është… Jeni të instruktuar prej një krimineli që është vrasës me pagesë, është përbaltës dhe ndihmës i vrasësve me pagesë”, ka shtuar Kurteshi, që shërbeu si Avokat i Popullit nga viti 2009 deri më 2015.
Më vonë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar duke dënuar “fyerjet dhe kërcënimet e përsëritura të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ndaj mediave, përfshirë një deklaratë skandaloze të bërë këtë të mërkurë”.
“AGK-ja e konsideron këtë deklaratë si të papërgjegjshme, të papranueshme dhe të rrezikshme. Akuza e tillë, e paprecedent ndaj një medie, nga një zyrtar i lartë i partisë në pushtet, jo vetëm që cenon lirinë e shtypit, por rrezikon edhe sigurinë e gazetarëve. Për më tepër, Kurteshi ka përdorur edhe gjuhë seksiste, duke i thënë gazetares ‘ta hangsha loçkën’, një shprehje e padenjë dhe e papërshtatshme për çdo komunikim institucional”, thuhet në reagim.
AGK-ja i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që urgjentisht të sigurojë që përfaqësuesi i saj në KQZ të mos pengojë punën e gazetarëve dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese ndaj mediave.
”Sulmet verbale ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë seriozisht lirinë e medias në Kosovë”, vijon reagimi.