Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka reaguar ashpër gjatë mbledhjes së sotme, duke shprehur shqetësimin e tij për numrin e madh të votave me asistencë në Han të Elezit.
Sipas Kurteshit, nga mbi 5 mijë votues në këtë komunë, 527 kanë votuar me asistencë. Ai theksoi se nga këta, 243 janë evidentuar si të verbër, ndërsa 244 si analfabetë. Por, sipas tij, këto të dhëna janë të pakuptueshme dhe ngjallin dyshime.
“Numri i madh të votave me asistencë në Han të Elezit. Pjesëmarrja është 5 mijë e 15 votues, nga 8 mijë e diçka. Prej tyre, 527 janë me asistencë ose 10,51%. Nga ta, të verbër janë 243, kurse analfabetë 244. Sipas të dhënave nga Departamenti i Pensioneve, kam komuniku dhe po komunikoj me ta, në Komunën e Hanit të Elezit, është veç një person i verbër, që merr pension, që është relativisht i mirë, 300 euro”, tha Kurteshi.
Duke e komentuar këtë situatë, Kurteshi përdori gjuhë të ashpër, duke deklaruar: “Nuk mundet Hani i Elezit, njerëzit atje me qenë ma qorra se Gjilani bre, ose Deçani. Edhe na jemi goxha, po bash qikaq jo”.
Ai përmendi edhe disa raste të tjera të votave me asistencë, duke specifikuar se një person kishte sëmundjen e Parkinsonit, dy të tjerë kishin probleme shëndetësore, ndërsa gjashtë persona nuk kanë pasur mundësi të votojnë vetë.
Sipas Kurteshit, një pjesë e këtyre votave janë rezultat i presioneve apo manipulimeve: “Vota me asistencë është ose votë e shitur, pra e korruptuar, ose e shantazhuar, e kërcënuar”.
Në fjalën e tij, ai përfshiu edhe diasporën, duke thënë se “Diaspora nuk e shet votën, por i ka ble këta këtu edhe i orienton. Diaspora e blen votën se ata i kanë mundësitë materiale, e blen votën brenda”.