“Kurti 25% të kohës e kalon në të pame”, reagon zëdhënësi i Qeverisë: Merr pjesë në homazhe, sepse në Kosovë ka pasur shumë masakra

“Kurti 25% të kohës e kalon në të pame”, reagon zëdhënësi i Qeverisë: Merr pjesë në homazhe, sepse në Kosovë ka pasur shumë masakra

Anëtar i shoqërisë civile, Agron Demi, dje publikoi në profilin e tij një statistikë për punën e përditshme publike të kryeministrit Albin Kurti ku tha se 25 për qind të kohës, kreu i qeverisë e kalon “nëpër të pame, homazhe e akademi përkujtimore”. Por, nuk ka vonuar shumë dhe ka ardhur reagimi nga Qeveria.

Është zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili i ka reaguar Demit përmes një komenti duke i quajtur të pasakta statistikat e tij, edhe pse në fund të postimit shkruan se ekipi për komunikim me publikun do të kenë parasysh statistikat e tij.

Kryeziu thotë se kryeministri është i të gjithëve dhe se merr pjesë në homazhe, sepse në Kosovë ka pasur shumë masakra.

Analiza të tilla, edhe pse me një disclaimer (vërejtje) sikur në këtë rast, janë të prira të përdoren për tituj e raportime që nuk e përshkruajnë të vërtetën e plotë, rrjedhimisht keqinformuese (po e bashkëngjes nje shembull të shumë lajmeve që janë publikuar tashmë me të njëjtin titull). Kjo ndodh edhe sepse analiza të tilla si kjo, nuk të ofrojnë përgjigjen në pyetjen “Qysh e kalon kohën e tij Kryeministri?”. Natyra e punës dhe diskrecioni që përban nënkupton që shumëçka nuk publikohet. Kjo e bënë analizën tuaj të pabazuar në informacion të plotë – rrjedhimisht rezultatet e analizës të pasakta.
Kryeministri është kryeministër i të gjithëve. Nga ai pritet që të takoj palë të ndryshme, vendore e ndërkombëtare, për të trajtuar çështje me interes, shqetësime e kërkesa. Merr pjesë në homazhe, sepse në Kosovë ka pasur shumë masakra. Nderimi, përkujtimi dhe vizitat janë më e pakta që mund të bëjë kreu i një institucioni që nuk do të bëhej pa sakrificën e të rënëve. Që po mos ta diskutojmë secilën kategori të analizës suaj…
Megjithatë ky postim mund të jetë deri diku i vlefshme për ekipin për komunikim me publikun, dhe ne do ta kemi parasysh. Faleminderit.

Ja çka shkroi dje Agron Demi që ngjalli reagimin e zëdhënësit të Qeverisë

Demi në postimin e tij analizoi aktivitetete publike të Kurtit gjatë periudhës kohore janar-korrik të vitit 2024, ku tha se Kurti e kalon një të katërtën e kohës nëpër të pame, homazhe dhe akademi përkujtimore.

Po ashtu, Kurti kohë të konsiderueshme, gjithnjë sipas analizës së Demit, kalon edhe në takime me ambasadorët.

Postimi i tij i plotë:

Qysh e kalon kohën e tij Kryeministri?

Nëse bazohemi në njoftimet që gjenden në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, nga janari e deri më sot:

– ma shumë 1/4 e kohës së Kryeministrit ka shku nëpër të pame, homazhe e akademi përkujtimore;

– 23.7% të kohës e ka kalu duke pritë ambasadorët e akredituar në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, apo liderë e delegacione nga shtetet tjera;

– 13.8% të kohës e ka kalu tu pritë në takime grupe të studentëve, pensionistë të huaj e vendorë, ish-diplomatë, delegacione nga mërgata, Lugina, Bosnja, Sanxhaku…

– 19.3% të kohës e ka kalu në mbledhje të qeverisë dhe në takime në grupe ndërministrore ose takime me bartës institucionesh tjera;

– 9.5% të kohës e ka kalu duke promovu investime apo lansim programesh, ndër to edhe një urë për këmbësorë, gurëthemelin e një shtëpie, tri klinika të renovuara, dy herë i ka vizitu punimet në rrugën Kijevë-Zahaq, kurse tjerat janë lansim programesh;

– 5.2% të kohës e ka kalu në vizita jashtë vendit, duke përfshi tri vizita si pjesëmarrës në takimet e Partive Socialiste Evropiane; nja dy vizita deri në Londër për ligjerata, nja dy vizita në Turqi, një adresim në KS të OKB-së, disa ditë në Davos, një vizitë në portin e Hamburgut.

– 2.5% të kohës duke vizitu biznese (8 biznese të vizituara);

– 4 vizita në komuna, tri prej të cilave qeverisen nga VV, dhe një vizitë në Dragash pas emergjencës së vërshimeve dhe dëmeve në fshatin Kuk.

Kallxom qysh e kalon kohen, të kallxoj kush je. 

Related Articles