Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 3 milionë euro ka qenë buxheti i programit për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteteve joshumicë.
Ai ka thënë se në ndërtim e sipër janë 57 shtëpi, derisa 230 të tjera janë duke u renovuar.
“Tre milionë euro ka qenë buxheti i programit për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë në komuna këtë vit. Në ndërtim e sipër janë 57 shtëpi. Krahas tyre, punimet janë duke u zhvilluar edhe për renovimin e 230 shtëpive tjera. Dje, me ministrin Krasniqi vizituam dhe takuam familjen Palmar nga komuniteti boshnjak, familjen Hagjijaj nga komuniteti rom, dhe familjen Saku nga komuniteti egjiptian. Të trija përfituese nga mbështetja e Qeverisë sonë që së shpejti do të gëzojnë shtëpi të reja, sepse meritojnë banim të dinjitetshëm.”
Kurti ka thënë se ky program do të vazhdojë edhe me thirrjen e dytë vitin e ardhshëm, për të cilën është ndarë buxhet në vlerë prej tre milionë euro.