Kryeministri Albin Kurti ka shkruar pas humbjes së Akil dhe Nora Gjakovës në garat e sotme në Lojërat Olimpike “Parsi 2024”, duke thënë se përkundër kësaj, “Akil dhe Nora, vëlla e motër, përgjithmonë jeni kampionët tanë Olimpik”.
“Akil Gjakova e humbi medaljen e bronztë për pak, e atë të argjendtë edhe për më pak. Mbase kjo është pasojë direkte e shpirtit të tij luftarak dhe dëshirës së madhe për fitore”, shkroi Kurti në një postim në Facebook.
“Ndeshjen e parë e zhvilloi krah për krah, sepse njëkohësisht, me motrën e tij Norën. Përderisa Nora e përmbylli rrugëtimin e saj në Paris 2024, ai fitoi dhe me vazhdoi garat tutje duke mundur dy herë kundërshtarët të cilët ndodhen më lart se ai në ranglistën botërore. U eliminua në gjysëmfinale nga numri 1 në botë, pasi që të gjithëve që ishim prezent në Champ-de-Mars Arena na u duk se fitoi me Ippon, por jo edhe referit në tatami. E në betejën e tij për medalje të bronztë, Thembra e Akilit ishte ajo pjesë e sekondës kur një lëvizje fort e qëlluar nuk përmbyllet plotësisht”, shkroi tutje ai.
“Faleminderit për emocionet që na keni dhënë dhe për përkushtimin tuaj për vendin tonë”, përfundoi Kurti. /Gazeta Enigma