Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, foli për takimet me liderët e partive politike, duke thënë se vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka lëvizur konkretisht në drejtim të zgjidhjes.
“Ne jemi të vetmit që kemi lëvizur. Të nesërmen kanë qenë Glauk Konjufca dhe Albulena Haxhiu në takime. Znj. Haxhiu ka deklaruar se për të nuk ka nevojë të votohet dy herë, sepse nuk është kandidate. Në takimin e së shtunës kam ftuar që të merremi vesh për një pako për përbërjen e Kryesisë së Kuvendit. Nëse nuk e doni votimin e fshehtë, dërgoni përfaqësuesit tuaj dhe kthehemi te vota e hapur”, tha ai.
Kurti theksoi se ka një farë shprese për zgjidhjen e situatës, por jo shumë, duke kritikuar qasjen e opozitës ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë kam shpresë, por nuk mund të them që kam shumë shpresë, për shkak të leximeve shumë të ndryshme që po i bëhen aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Janë lexime të gabuara nga ana e tyre”, përfundoi Kurti.