Kurti bën homazhe në Tërnje të Therandës, në 26-vjetorin e masakrës

Kurti bën homazhe në Tërnje të Therandës, në 26-vjetorin e masakrës

Në përvjetorin e 26-të të masakrës në Tërnje të Therandës, kryeministri Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule të freskëta pranë varreve të të rënëve, të cilët u vranë mizorisht nga forcat e armatosura serbe.

“Gjaku i dëshmorëve është në themelet e Republikës”, u shpreh kështu Kurti gjatë homazheve, teksa potencoi se neve na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, “por e rëndësishme që ta forcojmë shtetin tonë, ta forcojmë shtëpinë e popullit, ashtu që brezave të ardhshëm kurrë të mos iu bie që të vuajnë, të kenë dhembje apo humbje çfarë kaluam ne”.

Në komunikatë bëhet e ditur se Kurti ndër të tjera theksoi se 26 vjet më parë në pranverën e vitit ’99-të, u vranë martirët e dëshmorët e kombit, që na e kujton se sa i madh ishte çmimi i lirisë.

Ai shprehu respekt të veçantë për nënat shqiptare, të cilat i rritën bijat edhe bijtë e tyre për të qenë qytetarë të dinjitetshëm të Republikës, duke shtuar se përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë, e falënderim të përzemërt për të gjithë ata, të cilët kontribuan për lirinë e popullit tonë dhe vendit tonë.

Në këto homazhe, krahas Kurtit ishin edhe deputetë të Kuvendit si dhe familjarë të dëshmorëve e martirëve të kombit, veteranë e invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Related Articles