Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe vetë Albin Kurti i kanë nëntfishuar shpenzimet e tyre vitin e fundit të qeverisjes krahasuar me 8 muajt e parë kur e morën mandatin në 2021. Shpenzimet janë rritur në të gjitha kategoritë dhe më së shumti para u harxhuan në dreka e darka dhe ngjarje të kabinetit.
Shumë simbolike prej vetëm 3 mijë e 425 euro e 84 cent kishte shpenzuar kryeministri Albin Kurti dhe i gjithë stafi i tij në dreka për 9 muaj të vitit të parë, kur morën pushtetin.
Por, gjërat kanë ndryshuar ndër vite, e veçanërisht në të fundit, në 2024 kur kanë harxhuar për dreka e ngjarje të kabinetit 32 herë më shumë se në vitin e parë.
Kështu, prej rreth 3 mijë e 500 euro, këto shpenzime të kryeministrit dhe kabinetit të tij, vitin e kaluar shkuan në 112 mijë e 332 euro e 87 cent.
Sipas kësaj llogaritje, mesatarisht në ditë Kurti dhe stafi i tij i harxhuan 307 euro në dreka e darka ose gati sa një rrogë minimale në Kosovë, që është 350 euro nga viti i kaluar.
Këto të dhëna, Dukagjini i ka marr përmes një kërkesë për qasje në dokumente zyrtare drejtuar Zyrës së Kryeministrit.
Por, jo vetëm në dreka dhe darka. Në të gjitha kategoritë tjera, shpenzimet e Kurtit dhe stafit të tij u rritën, përfshirë akomodim, bileta udhëtimi, derivate e mëditje.
Kështu në total, në vitin e parë të qeverisjes Albin Kurti e stafi i tij harxhuan për gjashtë kategori brenda marsit e deri në dhjetor 33 mijë e 962, në 2022 kjo shifër shkoi në 192 mijë e 369 euro, në 2023 u harxhuan 208 mijë e 893 euro kurse në vitin e kaluar gjithsej 315 mijë e 588 euro. Pra, krahasuar me vitin e parë, shpenzimet e Zyrës së Kryeministrit në 2024 kanë shënuar një rritje prej rreth 829%.
Në të dhënat që Zyra e Kurtit i ka ofruar, nuk ka specifikuar se sa njerëz përfshihen në Stafin e Kryeministrit por vetëm e kanë dërguar si kategori të veçantë.
Në vitin e parë për shembull, stafi shpenzoi vetëm 2 mijë e 783 euro për bileta e kjo shifër u rrit çdo vit derisa kulmoi vitin e kaluar në 62 mijë e 995 euro.
Njëjtë ndodhi edhe me mëditje, ku stafi i Kurtit nga 5 mijë euro në 2021, në vitin e kaluar mori 39 mijë e 485 euro dhe këto u rriten çdo vit.
E vetmja gjë këtu që nuk ndryshoi është se Albin Kurti zgjodhi që asnjëherë prejse është kryeministër të mos marr mëditje dhe të mos përdorë shpenzimet e telefonit që i takonin.