Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsolav Lajçak, do të jetë për vizitë sot në Prishtinë. Kjo është hera e dytë që Lajçak do të vijë në Kosovë në më pak se 10 ditë.
Për takimin e sotëm, Zyra e Kryeministrit nuk ka dhënë detaje rreth takimit që do të nisë nga ora 14:00.
Por, gjatë takimit të fundit që Lajçak pati me Kurtin e Bislimin folën për çështjen e targave dhe atë të energjisë në veri të vendit.
Pas takimit me kreun e qeverisë, Lajçak tha se nuk duan që situata të eskalojë për targat, teksa u shpreh se licenca e Elektrosever është në rrezik.
“Diskutuam hapat e mëtejshëm dhe gjithashtu në rendin e ditës janë çështjet aktuale, veçanërisht çështja e energjisë dhe çështja e targave sepse siç e dini afati është 31 tetori dhe është shumë e rëndësishme që unë dhe Bashkimi Evropian të dinë se cilat janë planet dhe të shmangim situatën të mos eskalojë sepse kjo nuk është në interesin tonë”, është shprehur Lajçak, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se me Kosovën janë në procesin e konsultimeve për këtë, teksa shtoi se është një rrezik sa i përket licencës së Elektroseverit, licencë kjo që mund të tërhiqet, e që sipas tij nuk kjo nuk duan që të ndodhë.
“Për mua është e rëndësishme që të sjell konkluzionet dhe t’i diskutojmë ato me kryeministrin dhe unë do të jem në Beograd më të njëjtën agjendë dhe të njëjta çështje dhe dua që të gjejmë zgjidhje për çështjet që janë ende të hapura”, është shprehur Lajçak.
Ndërsa, kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas këtij takimi ishte shprehur se me Lajçakun janë gjithmonë dy tema kryesore.
“E para është korniza e përgjithshme e marrëveshjes dhe e dyta është çështja aktuale. Te çështjet aktuale, kryesorja për neve është zbatimi i marrëveshjes së energjisë në mënyrë që edhe në veri të Ibrit të filloj inkasimi për energjinë e konsumuar sepse s’ka kurrfarë kuptimi që ta shfrytëzosh energjinë elektrike nga burimet e Kosovës e të mos paguash asgjë. Prandaj, tek çështjet aktuale fokusi ynë është zbatimi i marrëveshjes për energji që edhe atje të paguhet energjia elektrike”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se gjatë takimi me Lajçakun që u mbajt më 13 tetor u diskutua edhe Raporti i Progresit për Kosovën.