Kryeministri ë detyrë Albin Kurti tha se besuan që konstituimi i legjislativit do të bëhej shpejt, derisa për emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur t’i marrë deri tash votat e nevojshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit, tha se është propozimi i duhur.
“Ne kemi besuar që do ta kemi konstituimin e kuvendit shumë të shpejt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur, përveçse ne jemi të obliguar që ta kemi propozimin si parti fituese. 57 deputetë ishin për Albulena Haxhiun, nevojiteshin 61, në mesin e tyre nuk janë vetëm të koalicionit LVV- Alternativa e Guxo por edhe deputetë të pakicave. Nuk arritëm t’i kemi 61, provuam disa herë”, tha Kurti derisa një për një foli se si dështoi fillimisht formimi për komisionin për verifikimin e mandateve, e që sipas tij më vonë ata që e kundërshtuan e kuptuan se e kishin gabim.
Kreu në detyrë i qeverisë tha se duke parë se nuk i kishin 61 vota, provuan që zgjidhjen t’ua jap presidentja.
“Kryesuesi, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes dhe ajo tha se ju vetë duhet ta gjeni zgjidhjen. Kaluam nga votimi i hapur në përpjekje për votim të fshehtë, mirëpo tash jemi në këtë pikë ku 10 herë është refuzuar komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë. Është për të ardhur keq, meqë aktgjykimi i Kushtetueses në pikat 124 dhe 125 thotë se me votim të hapur ose të fshehtë duhet të bëhet zgjedhja. Ne kaq kemi mundësitë tona, por ajo çfarë po ndodhë është e paprecedentë sepse po pamundësohet kuorumi, sepse aktgjykimi gjithashtu thotë se të gjithë deputetët, secili e secila duhet të votojë për, kundër ose të abstenojë. Por, ajo çfarë kemi tash, jo emri i Albulena Haxhiut tashmë, por kundërshtimin e votimit të fshehtë përmes pamundësimit të kuorumit që është shkelje e aktgjykimit”, tha ndër të tjera, Kurti në një intervistë për RTK.
Ai ka përmendur ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së në tentim për të dal nga ngërçi, që sipas tij, takimi trelateral përfundoi me bilateral dhe pa sukses.
Kurti tha se zgjidhja nuk është t’i imponohen propozimet njëri-tjetrit.
“Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, tha Kurti.
Tregoi se LDK-ja e cila nuk iu përgjigj takimit i kishte thënë se nuk ishte vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por se duhej marrëveshje politike, prandaj i ofroi koalicion qeveritar LDK-së, gjë që sipas tij, u refuzua ashpër.
“Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votim të fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton përsëri le ta provojnë me votim të fshehtë. Porsa të konstituohet kuvendi, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet një kuvend i ri”, tha ai.
Kryeministri në detyrë tha se gjatë mandatit të tij katër vjeçar ka pasur edhe sovranitet shtetëror edhe integritet territorial, e edhe mirëqenie sociale e rritje ekonomike sipas tij, të paparë më herët.
“6 për qind mesatarisht në vit, asnjëherë pa rënë nën 4 për qind të bruto produktit dhe tash ka ardhur radha ta kemi edhe kuvendin e ri për qeverinë e re në legjislaturën e nëntë. Ne kemi synuar 500 mijë vota siç dihet. Kemi pasur rezultat të mirë me rreth 400 mijë vota, me 48 deputet”, tha Kurti në intervistë për RTK-në.
“Besojmë se deputetët opozitarë janë në trysni nga shefat e partive“
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur besimin se deputetët e opozitës së deri tashme anë në trysni nga shefat e partive, prandaj sipas tij votimi i fshehtë do t’u jepte mundësi atyre që të votonin të lirë dhe ta shprehnin vullnetin e tyre.
“Ne besojmë që deputetët opozitarë janë në një trysni të madhe nga shefat e partive që ta ruajnë homogjenitetin e tyre dhe pikërisht në një situatë të tillë ata do ta kishin lirinë e tyre që në një votim të fshehtë ta shprehin vullnetin e tyre, sepse ka shumë deputetë opozitarë që ndoshta do të ishin kundër formimit të qeverisë ku unë do të isha kryeministër, mirëpo konstituimi i kuvendit është absurd të kundërshtohet, meqë Kuvendi i Kosovës është mishërim i pluralizmit politik si shtyllë e demokracisë.